
Në qershor 2023, rreth 25 persona u mblodhën në shtëpinë e vogël të Kaonit në jug të Shqipërisë. Megjithëse hapësira ishte e ngushtë, gjithçka jashtë dhe përreth shtëpisë ishte madhështore – me lule, pemë dhe sidomos pamjen e lumit. Gatimi i mamasë së Kaonit ishte një specialitet tradicional. Siç ndodh zakonisht tek ne shqiptarët, e gjithë koha u shoqërua me këngë dhe valle.
Në mes të këtij dy-ditëshi plot gëzim dhe aventurë, zhvilluam tre sesione të trajnimit në apologjetikë dhe një sesion ungjillizues. Danjela foli mbi mirësinë dhe rëndësinë e krishtërimit, duke treguar sesi ai i ka dhënë qytetërimit perëndimor vlera si liria, barazia, dhembshuria, përparimi, miratimi etj. Mësimi u përqendrua në arsyet pse shkenca moderne u zhvillua në perëndimin e krishterë; në veçanti, sesi presupozimet biblike ishin themeli për përparimin e kërkimeve shkencore. Sesionet i mbyllëm me besueshmërinë historike të ringjalljes dhe me një ftesë për jobesimtarët që të fillojnë një marrëdhënie me Zotin.

Si gjithmonë, pjesa më e mirë ishin diskutimet në grup, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të reflektojnë dhe të ndajnë me njëri-tjetrin atë që kishin mësuar.
Jemi shumë mirënjohës për këtë retreat dhe gëzohemi për çdo hap besimi që kanë ndërmarrë miqtë tanë.


Comments are closed