E Vërteta 1.1

“Ti je bërë fëmijë i Perëndisë!

  • Bibla thotë se ti je bërë fëmijë i Perëndisë. 
  • “Por gjithë sa e pranuan, u dha atyre të drejtën për t’u bërë fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12).
  • Se të gjithë ju jeni bij të Perëndisë nëpërmjet besimit në Krishtin Jezus (Galatasve 3:26). 
  • Dhe unë do t’ju jem atë, dhe ju do të më jeni bij dhe bija“, thotë Zoti i gjithëpushtetshëm (2 Korintasve 6:18).

Ti e fitove këtë status të ri kur vendose besimin tënd te Jezu Krishti.

*KUJTESË: “Ne e kemi përvetësuar këtë shpëtim falas me anë të besimit! Kjo është dhuratë nga Perëndia, ofruar për çdo njeri në botë.  “Në të vërtetë, ju jeni shpëtuar me anë të hirit përmes besimit, dhe kjo nuk vjen prej jush, por është dhuratë nga Perëndia. Ju nuk u shpëtuat prej veprave tuaja, kështu që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:8–9).

Ky shpëtim përvetësohet me anë të besimit në veprën shlyese të Krishtit në kryq, një besim që shprehet edhe përmes rrëfimit publik se Jezusi është Zot.

Bibla thotë: “Prandaj, nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë kaluar; ja, të gjitha gjërat janë bërë të reja!” (2 Korintasve 5:17).

Kjo do të thotë se çdo besimtar në Jezus Krishtin është tashmë një krijesë e re: një person i ri, me një drejtim të ri në jetë, me shpresë të re dhe me një jetë të re. Në Krishtin, gjithçka për besimtarin është bërë e re!

Një nga momentet më të lumtura në jetë është kur lind një fëmijë. Ti ke lindur në një çast dhe një vend të caktuar. Në atë moment trashëgove mbiemrin e prindërve.

Zoti Jezus foli për një lindje edhe më të rëndësishme sesa ajo biologjike. Ai tha se, për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë, nuk mjafton që dikush të lindë një herë, por duhet të lindë për së dyti. “Ju duhet të lindni përsëri” (Gjoni 3:7). Të “lindësh përsëri” do të thotë të lindësh i ri në familjen e Perëndisë. Do të thotë të bëhesh fëmijë i Perëndisë.

  • Sipas Jezusit, pse është e rëndësishme të “lindet dikush nga lart”?  (v. 3)
  • Për çfarë lloj lindjeje po mendonte Nikodemi? (v. 4)
  • Çfarë lloj lindjeje nevojitet për të hyrë në “mbretërinë e Perëndisë” sipas vargjeve 5 dhe 6?  
  • Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë për erën sipas vargut 8?
  • Si na ndihmon ky krahasim të kuptojmë veprën e Frymës së Shenjtë në rilindjen shpirtërore?
  • Çfarë bëri Zoti për ty që të mund të “lindësh përsëri”  dhe të kesh jetë të përjetshme? “Sepse kaq e deshi Perëndia botën, saqë dha Birin, një të vetmin, me qëllim që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).
  • Nëse je birësuar në familjen e Perëndisë, me cilin emër mund t’a thërrasësh Perëndinë tani?

    “Se ju nuk morët një frymë skllavërie, për të pasur përsëri frikë, por morët Frymën e birësimit, me anë të të cilit thërrasim: Abba, o Atë! Vetë Fryma dëshmon bashkë me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë. E nëse jemi fëmijë, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë, nga njëra anë, dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nga ana tjetër, nëse vërtet vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë me të” (Romakëve 8:15-17).  
  • (Shënim: Termi “Abba” është një fjalë aramaike që do të thotë “Atë”, por mbart edhe ngrohtësinë dhe afërsinë që në shqip mund të shprehet me fjalën “Babi”. Ai tregon një marrëdhënie personale, të afërt dhe birërore me Perëndinë.

    Megjithatë, përdorimi i këtij termi nuk duhet kuptuar thjesht si një shprehje fëminore apo sentimentale, por si një thirrje e thellë besimi, afërsie dhe nënshtrimi ndaj Perëndisë si Atë. Kur besimtari thërret “Abba”, ai shpreh sigurinë e birësimit, marrëdhënien personale me Perëndinë dhe veprën e Frymës së Shenjtë, i cili dëshmon se besimtari i përket familjes së Perëndisë.)

  • Si na quan Perëndia ynë i dashur kur rilindim?  “Shikoni çfarë dashurie na ka dhënë Ati, që të thirremi fëmijë të Perëndisë. Dhe jemi! Për këtë arsye bota nuk na njeh, sepse nuk e njohu atë” (1 Gjoni 3:1).

  • Cila është shenja dalluese e fëmijëve të Perëndisë? 

    Ashtu si fëmijët në rritje kanë një prirje për t’iu “ngjarë” prindërve të tyre, fëmijët e Perëndisë gjithashtu do ti ngjajnë Atit të tyre Qiellor ndërsa rriten shpirtërisht.
     
    * * “Prej kësaj do ta kuptojnë të gjithë se jeni dishepuj të mi: po të keni
    dashuri ndërmjet njëri-tjetrit” (Gjoni 13:35).

    ** “Të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është prej Perëndisë dhe kushdo që do, ka lindur prej Perëndisë dhe e njeh Perëndinë”  (1 Gjoni 4:7).

Privilegjet e fëmijëve të Perëndisë:

  • Ne kemi privilegjin të flasim me Perëndinë dhe të lidhemi me Të si një Atë i mirë dhe i dashur.
  • “Ashtu si një atë tregon dhembshuri për fëmijët e tij, kështu Zoti tregon dhembshuri për ata që kanë frikë prej Tij” (Psalmi 103:13).
  • Ne kemi privilegjin ti afrohemi me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohën e duhur.
  • “Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë. Se nuk kemi një kryeprift që nuk mund të ndiejë keqardhje për dobësitë tona, por një që ka qenë tunduar në të gjitha njësoj si ne, por pa mëkat. Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohën e duhur.” Hebrenjve 4:14-16.
  • Si Ati ynë, Perëndia premton të kujdeset për nevojat tona. 
  • «Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t’jua japë edhe ato gjëra”» ‭‭(Mateu‬ ‭6‬:‭30‬-‭33)‬.
  • Perëndia i ka falur te gjitha mëkatet tona. 
  • “Edhe ju, duke qenë të vdekur në shkeljet dhe në parrethprerjen e mishit tuaj, Perëndia ju bëri të gjallë bashkë me të, duke na falur hirësisht të gjitha shkeljet, duke e fshirë dëftesën e borxhit me dekretet kundër nesh, e cila na ishte kundërshtare; dhe atë e ka hequr prej mesit, duke e gozhduar në kryq” (Kolosianëve 2:13-14).
  • Si një Atë i dashur, Perëndia na premton një trashëgimi të madhe. 
  • “Prandaj ti nuk je më skllav, por bir; dhe nëse je bir, atëherë je edhe trashëgimtar nëpërmjet Perëndisë” (Galatasve 4:7). 
    Shumë nga përfitimet e asaj trashëgimie na presin në të ardhmen. Kjo trashëgimi përfshin qiellin dhe tokën e re, trupat tanë të lavdëruar dhe të ringjallur, dhe banimin në mbretërinë e Tij që po vjen.
  • “Por, siç është shkruar: ‘Ato që syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar, dhe as zemra e njeriut nuk i ka përfytyruar, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan Atë’” (1 Korintasve 2:9).
  • Ne kemi privilegjin të udhëhiqemi nga Fryma e Shenjtë. 
  • “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk keni marrë frymën e skllavërisë që të bini përsëri në frikë, por keni marrë Frymën e birësimit si bij, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba! Atë!’ Vetë Fryma dëshmon bashkë me frymën tonë se jemi fëmijë të Perëndisë, dhe nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë—trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, me kusht që të vuajmë bashkë me Të, që edhe të përlëvdohemi bashkë me Të.” (Romakëve 8:14-17). 
    Fryma e Perëndisë i dëshmon frymës sonë se ne jemi fëmijët e Tij në një mënyrë shumë unike.
  • Nëse i përkasim Jezu Krishtit, çfarë do të bëjë Ai për ne? 
  • “Dhe pashë një qiell të ri dhe një tokë të re; se qielli i parë dhe toka e parë shkuan, dhe deti nuk është më. Dhe pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia, që ishte përgatitur si nuse e stolisur për burrin e saj. Dhe dëgjova një zë të lartë prej fronit, duke thënë: “Ja, tabernakulli i Perëndisë është me njerëzit dhe ai do të banojë bashkë me ta, dhe ata do të jenë popuj të tij, dhe vetë Perëndia do të jetë me ta. Dhe ai do të fshijë çdo lot prej syve të tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më; as vajtim, as britmë, as dhembje nuk do të jetë më. Të parat shkuan”. Dhe ai që rrinte ulur mbi fronin, tha: “Ja, po i bëj të gjitha të reja!”. Dhe më tha: “Shkruaji, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta”  (Zbulesa 21:1-5).
  • Konkluzion:

Në Krishtin, ti je bërë fëmijë i Perëndisë. Kjo nuk ndodhi për shkak të meritave apo veprave të tua, por për shkak të hirit të Perëndisë dhe besimit në veprën shpëtuese të Jezusit.
Tani ti ke një identitet të ri: je i falur, i pranuar dhe i dashur nga Ati yt qiellor. Nuk je më skllav i frikës, fajit apo së kaluarës, por je pjesë e familjes së Perëndisë dhe trashëgimtar i premtimeve të Tij.
Si fëmijë i Perëndisë, je thirrur të rritesh në besim, të udhëhiqesh nga Fryma e Shenjtë dhe të tregosh dashurinë e Perëndisë ndaj të tjerëve.

  • Mëso përmendësh:
  • “Por gjithë sa e pranuan, u dha atyre të drejtën për t’u bërë fëmijë të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,” (Gjoni 1:12).